Tuesday, March 19, 2013

Owen pensionohet në fund të sezonit

Sulmuesi i Stoke Cityt, Michael Owen, ka bërë të ditur se do ta mbyllë karrierën në fund të sezonit aktual.
Futbollisti anglez, i cili në të kaluarën ka veshur fanellat e Liverpoolit, Real Madridit, Newcastlet dhe Manchester Unitedit, në vitet e fundit nuk ka arritur ta shfaqë futbollistin që ishte dikur dhe kjo duket të jetë njëra nga arsyet që po e braktis futbollin.
Përmes një komunikate, 32-vjeçari i ka falënderuar të gjithë që i kanë ndihmuar dhe e kanë mbështetur gjatë karrierës, duke filluar nga tifozët, trajnerët, bashkëlojtarët dhe familja e tij.
Owen u bë yll botëror si 18-vjeçar me golin që ia shënoi Argjentinës gjatë Kampionatit Botëror të vitit 1998 në Francë dhe më pas arriti ta fitojë Ligën Premier, Kupën FA, tri Kupa të Ligës, Kupën UEFA dhe Superkupën e UEFA-s.
Në vitin 2001 ai fitoi Topin e Artë. Është golashënuesi i katërt më i mirë i Anglisë në histori dhe numëron 220 gola për klubet që ka luajtur.

Valencia: Nuk kam qenë aq i mirë këtë sezon

Anësori i Manchester United, Antonio Valencia, është i pakënaqur me formën e tij këtë sezon.
Përfaqësuesi i kombëtares së Ekuadorit ka pranuar se paraqitjet e tij nuk kanë qenë në nivelin e pritur, por thotë se lëndimet e kanë dëmtuar atë.
“Nuk ka qenë sezoni që do të doja të ishte në aspektin e formës personale. Lëndimet që kam pasur më kanë dëmtuar ca. Ende kam therje të çuditshme nga lëndimi i fundit që kisha në këmbë dhe kjo mbase ka ndikuar në progresin tim”, ka thënë Valencia. 

Arsenali Intresohet per Petr Cech?


Arsenali është duke menduar të bëjë ofertë për të transferuar portierin e Chelseat, Petr Cech.

Daily Mail shkruan se Cech është përcjellë vazhdimisht nga vëzhguesit e Arsenalit këtë sezon dhe Topçinjtë mund të befasojnë me një ofertë këtë verë.
Portieri i kombëtares çeke mbetet zgjidhja e parë te Chelesa dhe një kalim te Arsenali është vështirë i mendueshëm.
Por ka spekulime se portieri mjaft i vlerësuar, Thibaut Courtois, i cili a aktualisht është i huazuar te Atletico Madrid, mund të jetë zgjidhja e parë e Bluve për sezonin e ardhshëm, e që mund ta detyronte Cech të largohet.

Januzaj i ngazëllyer me progresin te United

Anësori shqiptar i Manchester United, Adnan Januzaj, është i kënaqur me paraqitjen e tij për ekipin U21 në fitoren ndaj West Bromwich Albion.
Shqiptari me nënshtetësi belge shihet si favorit për të kaluar në ekipin e parë të United dhe vlerësohet lartë nga menaxheri Sir Alex Ferguson.
“Mendoj se ia dola mirë. Shkova një-në-një dhe shkova në kornizën e golit dhe e pashë Sean (McGinty) vetëm. Dhe ai e përfundoi mirë punën. Ne jemi të lumtur që kemi nxjerrë tre pikë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”, ka thënë Januzaj për Man United TV.

Monday, March 18, 2013

Hot dog dhe monedha, goditen Terry e Lampard


John Terry dhe Frank Lampard kanë qenë cak i tifozëve të West Ham në ndeshjen që Chelsea e fitoj me rezultat 2 me 0.
Dy yjet e Chelseat janë goditur me hot dog dhe monedha të ndryshme. Poashtu ndaj tyre tifozët e skuadrës rivale lokale kënduan këngë me karakter ofendues ndaj tyre.

Ferdinand tërhiqet nga skuadra e Anglisë

Qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, organizoi një takim me menaxherin e kombëtares së Anglisë, Roy Hodgson, për të marrë leje që të largohet nga skuadra për arsye se nuk i përshtatet programit të tij të ushtrimeve mjekësore.
34-vjeçari u takua me Hodgsonin në Londër të dielën në mbrëmje dhe arritën një marrëveshje që programi specifik i ushtrimeve dhe nevojave mjekësore të lojtarit, nuk mund të plotësohej nëse ai do të udhëtonte me kombëtaren për ndeshjet ndaj San Marinos dhe Malit të Zi.
“Jam i zhgënjyer që Rio nuk mundet të na bashkohet për shkak të programit specifik dhe të planifikuar të stërvitjeve dhe nevojave mjekësore që ai duhet t’i ndjekë. Është e pamundur”, ka thënë Hodgson për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Anglisë. 

Sunday, March 17, 2013

Benitez lëvdon Lampardin për golin e tij të 200-të

Menaxheri i Chelseat, Rafa Benitez, e ka lavdëruar mesfushorin Frank Lampard që shënoi golin e tij të 200-të me fanellën blu, në fitoren prej 2-0 ndaj West Hamit në Stamford Bridge.
Lampard e arriti këtë shifër jubilare kundër ish-klubit të tij në pjesën e parë, nga një goditje me kokë. Tani ai është vetëm dy gola prapa Bobby Tamblingut që mban rekordin e golashënuesit më të mirë në histori të klubit.
“Jam i lumtur që Lampardi shënoi golin e 200-të, është një arritje e fantastike për të gjithë e veçanërisht për të. Vërtet jam i kënaqur me të”.
“Frank është lojtar fantastik që punon shumë në stërvitje. Kemi ende shumë ndeshje për t’i luajtur këtë sezon, kështu që shpresoj që ai të shënojë edhe më shumë”, deklaroi Benitez.

Arsenal është kthyer në garë për vendin e katërt


Pas humbjes së Tottenhamit në White Hart Lane nga Fulhami, menaxheri Andre Villas-Boas ka deklaruar se kjo disfatë e kthen Arsenalin në garën për pozitën e katërt.

Kujtojmë që të zgjedhurit e portugezit kanë regjistruar humbje në tri ndeshjet e fundit, ndaj Liverpoolit (LP), Interit (EL, por u kualifikuan) dhe të dielën ndaj Fulhamit (LP).
Topçinjtë janë katër pikë prapa Spursave, por kanë edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
“Merita u takon atyre që janë rikthyer në garë. Tash situata ka ndryshuar dhe ata e kanë shansin”, u ka thënë AVB gazetarëve.

Chelsea në pozitën e tretë

Chelesa ka kaluar në pozitën e tretë të tabelës së Ligës Premier pas fitores ndaj West Hamit në Stamford Bridge me rezultat 2-0, duke përfituar kështu nga gabimi i Tottenhamit.
Blutë ishin dominant që nga fillimi i takimit në Bridge, ndërsa ky dominim i dha frytet e veta që në fillim.
Në minutën e 19-të një asistim të Eden Hazard e shfrytëzoi për Frank Lampard për të shënuar për 1-0 dhe epërsinë e Bluve.
Ishte ky goli i 200-të i Frank Lampard në fanellën e Chelseat.
Në vazhdim ishin përsëri Blutë ata që kërkon golin, tani atë të sigurisë.
Eden Hazard realizoi në pjesën e dytë për 2-0 dhe rezultatin përfundimtar (50’).
Tottenhami ka pësuar humbje në shtëpi nga Fulhami me rezultat minimal, duke vazhduar kështu formën e dobët pas disfatës nga Interi.
Pas javës së 29-të, Chelsea është në vendin e tretë me 55 pikë, katër pikë më pak se Manchester City në vendin e dytë, ndërsa Tottenhami ka 54 pikë në vendin e katërt, katër pikë më shumë se Arsenali në vendin e pestë.

Rooney: Jemi pranë titullit


Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka thënë se ekipi i tij është në një pozitë shumë të mirë për të siguruar titullin.
“Ne e kemi ditur se këto tri pikë të fituara do të jenë të rëndësishme, sidomos pasi City pësoi humbje. Ishte ndeshje e vështirë, por ne fituam dhe kjo është me rëndësi”.
“Ne e kemi ditur se me rëndësi ishte rezultati. Ne duhet të sigurohemi që t’i bëjmë gjërat mirë, pa marrë parasysh atë që ndodhë. Ishte mirë që City humbi, por ne është dashur të fitojmë. Ne jemi profesionistë dhe duhet ta ruajmë pozitën tonë të mirë, prej 15 pikësh epërsi me nëntë ndeshje të mbetura”, ka deklaruar Rooney.

Walcott: Tragjedi nëse nuk shkojmë në LK

Anësori i Arsenalit, Theo Walcott, u ka bërë thirrje bashkëlojtarëve që të mbajnë formën e lartë të treguar ndaj Bayernit dhe Swanseas, pasi beson se mos kualifikimi në top katërshe do të ishte tragjedi.
“Ne duam që t’i luajmë ndeshjet e mëdha, sikurse ndaj Bayern Munichut. Do të ishte tragjedi për këtë ekip që të mos jetë në Ligën e Kampionëve”.
“Mënyra se si luajtëm në Gjermani tregon se sa herë kemi luajtur keq këtë sezon. Ka qenë një sezon me ngritje dhe rënie. Kur jemi në vështirësi, ne ndizemi, por është frustruese. Ne duhet që ta shfrytëzojmë dëshirën e treguar në Gjermani për ndeshjet e ardhshme në Ligën Premier”.
“Besimi është gjëja kryesore. Nuk ka mendime negative kundër Bayernit dhe të gjithë po punojnë për njëri-tjerin. Ne duhet të tregojmë dëshirë dhe besim në secilën ndeshje tani e tutje”, është shprehur Walcott për Mirror.

United mund të fillojë festën

Manchester Unitedi ka shënuar fitore minimale në Old Trafford ndaj Readingut, për të forcuar edhe më shumë kreun tabelar në Ligën Premier.
Fraksioni i parë i lojës nuk ishte nga ato që jemi mësuar të shohim në Old Trafford, megjithatë tifozët vendas nuk mund të ankohen, pasi ekipi i tyre kaloi në avantazh
Rio Ferdinand nisi një aksion duke asistuar te Wayne Rooney, goditja e të cilit u devijua për të përfunduar në rrjet (21’).

Goli i sulmuesit anglez e bëri dallimin në këtë pjesë, në të cilën Djajtë e Kuq ishin të dobët në përgjithësi. Ata ishin të ngadalshëm në krahë, ndërsa lidhja e mesfushës me sulmin, thuajse nuk ekzistonte.
Mysafirët e filluan më mirë pjesën e dytë duke e mbajtur nën presion Unitedin që me vështirësi shkonte përpara.
Mirëpo, me kalimin e minutave vendasit e kthyen posedimin dhe e menaxhuan rezultatin deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.
Tifozët e Manchester Unitedit mund ta fillojnë festën që tani, pasi klubi i tyre ka diferencë prej 15 pikësh nga përcjellësi i parë, njëherësh kampioni në fuqi, Manchester City

Pikë të plota për Topçinjtë

Arsenali ka shënuar fitore komode si mysafir i Swansea Cityt në Liberty Stadium, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë.
Olivier Giroud bëri presion ndaj Williams dhe topi arriti te Nacho Monreal, i cili shënoi golin e parë të mysafirëve (74’).
I inkuadruari në pjesën e dytë, Gervinho, e dyfishoi epërsinë në minutat shtesë (90’+1). Asistimi ishte i Aaron Ramsey.
Arsenali është i pesti në tabelë me dy pikë më pak se Chelsea që ndeshjen e kësaj xhiroje e zhvillon të dielën kundër West Hamit.

City humb, mbaron lufta për titull

Manchester City e ka pësuar humbjen e katërt këtë sezon dhe atë ia ka shkaktuar Evertoni me rezultat 2-0 në Godisson Park. Ndeshja ishte mjaft dinamike nga fillimi, me raste të shumta për të dyja palët. Sidoqoftë, Evertoni shënoi golin e epërsisë në minutën e 32-të me anë të Leon Osman për 1-0. Në vazhdim të dyja palët sulmuan, por City tentoi të kthehej në lojë pasi Evertoni mbeti me një lojtar më pak në terren pas përjashtimit të Steven Pienaar. City bëri presion deri në fund dhe ka mundur të marrë së paku një pikë, po që se gjyqtari do të kishte akorduar një penalti të pastër të pa dhënë, kur Fellaini me një karton të verdhë e ndali topin me dorë brenda zonës në minutën e 86-të. Në fund mysafirët pranuan edhe një gol për 2-0, ndërsa realizator ishte Nikica Jelavic (90’ +3). Manchester City pas kësaj humbje mbetet në pozitën e dytë me 59 pikë, pesë pikë më shumë se sa Tottenhami dhe 12 më pak se sa lideri Manchester United që ka një ndeshje pa zhvilluar.